Pas Milanos në Barcelonë, Aurela Hoxha tregon frikën më të madhe nga karantina në Spanjë

Në një lidhje Skype nga Barcelona për emisionin “Rudina” në Tv Klan, modelja Aurela Hoxha rrëfeu se, edhe ajo, ashtu si të gjithë, është izoluar në shtëpi prej disa javësh. Spanja është i dyti vend në Europë i prekur nga virusi, pas Italisë për numrin e vdekshmërisë dhe situata, edhe atje është mjaft serioze.

Aurela tregoi se përpara se të shkonte në Barcelonë, ajo kishte qenë në Milano dhe situata ishte disi e rënduar dhe frika ishte e madhe.

“Në këto momente jam në Barcelonë. Këtu nuk ka shumë që ka filluar mbyllja. Përpara kësaj, unë isha në Milano pikërisht në ditët kur filloi e gjitha kjo. Frika më e madhe ishte kur u dëgjuan edhe rastet e para, sidomos nga ne që ishim turistë, ishte një situatë disi e rënduar dhe realisht të gjithë kaluam një frikë të madhe. Më pas, u ktheva në Barcelonë, ku më priste dhe famija ime, sepse më 27 shkurt ishte dhe ditëlindja ime. Realisht në Spanjë nuk po ndihej situata dhe aq e rënduar, njerëzit vazhdonin çdo gjë normalisht. Vetëm para një jave ka filluar që njerëzit janë mbyllur dhe është pezulluar çdo gjë.” Gjatë kësaj kohe në karantinë, Aurela tregon se lexon më shumë, gatuan më shumë, por edhe lutet më shumë shkruan Class.

“Të them të vërtetën, nuk është se ka ndryshuar shumë rutina ime. Dëshira ime për të gatuar ka disa kohë që ka filluar dhe unë vazhdoj e bëj njësoj. Ndoshta kam filluar të lexoj pak më shumë, të lutem pak më shumë. Është një moment ku realisht po lutem për të gjithë. Unë jam myslimane. Shkoj në kishë dhe në xhami dhe nuk e kam bërë këtë ndarje, që e vogël kam besuar vetëm një Zot dhe mënyra si unë lutem dhe besoj nuk është fare e ndikuar nga fetë. Kam marrë shpeshherë kritika, sepse mbiemri im Hoxha, edhe duke qenë se shkoj në kishë, duket si diçka shumë e çuditshme për shumë njerëz. Por realisht unë besoj vetëm një Zot, besoj në kishë, besoj në xhami. Të gjithë ne duhet të lutemi në mënyrën tonë, në mënyrën si ne besojmë.”

Gjëja e parë që dotë bëjë pas karantinës, thotë Aurela, është të vijë në Shqipëri, të takojë të afërmit, miqtë dhe të vlerësojë më shumë gjërat që, ndoshta deri tani, nuk u ka dhënë vlerën e duhur.

Likes:
0 0
Views:
115
Article Tags:
Article Categories:
Showbiz

Comments are closed.