Shqipëria me mishin më të lirë në Evropa, furnizuesi kryesor nga………

Konsumi i mishit dhe nënprodukteve të tij në Shqipëri shënoi rritje në vitin 2018, ndonëse prodhimi vendas ka mbetur në vendnumëro. Kompanitë kryesore vijuan konsolidimin e pozicionit të tyre, edhe pse nevojën për lëndë të parë po e plotësojnë nga importi. Siguria ushqimore mbetet sfidë, duke vështirësuar edhe eksportet. Sa mish konsumuan shqiptarët në vitin 2018 dhe si po ndryshon konsumi? Tetë kompanitë kryesore të përpunimit të mishit në vend qarkulluan 10 miliardë lekë…

Mishi dhe nënproduktet e tij janë nga produktet bazë të shportës së konsumatorit. Shqipëria, si një vend në zhvillim, mbetet pas konsumit mesatar për frymë në krahasim me vendet e zhvilluara. Industria e përpunimit të mishit ka pasur një rritje të qëndrueshme, edhe pse siguria ushqimore mbetet “thembra e Akilit për sektorin”.

Tetë kompanitë kryesore deklaruan në vitin 2017 rreth 10 miliardë lekë, ose 75 milionë euro, me një rritje të lehtë 1%. Jona Leka, menaxhere e marketingut në kompaninë EHW, më e madhja në vend për nga qarkullimi, thotë se kompanitë shqiptare zotërojnë rreth 75% të tregut, ndërsa për pjesën tjetër përgjigjen kompanitë importuese. EHW është themeluar në ’92.

Në vitin 2017, ajo realizoi mbi 5 miliardë lekë të ardhura nga shitjet, me një rritje të lehtë nga një vit më parë, duke u përgjigjur për rreth 50% të të ardhurave të realizuara nga 8 kompanitë më të mëdha në vend. Ajo thotë se sektori ruan të njëjtin ritëm në vitet e fundit dhe se importi po fiton terren, për shkak të heqjes së tarifës doganore për produktet e mishit të përpunuar për disa shtete.

Në vend të dytë, me qarkullimin më të lartë, renditet Kombinati i Mishit (KMY), me 2.4 miliardë lekë të ardhura. Shitjet e KMY-së u tkurrën me 8% në krahasim me një vit më parë. Kompania Hako renditet e treta. Ajo shënoi zgjerimin më të madh në treg në 2017-n. Hako realizoi 34% më shumë të ardhura, duke kapur nivelin e 715 milionë lekëve.

2017 rezultoi me tkurrje aktiviteti për kompaninë Tona. Sipas pasqyrave financiare të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Tona renditet e katërta. Për vitin 2017, kompania gjeneroi 705 milionë të ardhura nga shitjet, me tkurrje 7%.

Edhe Fix Pro (në vend të 5) qarkulloi më shumë të ardhura nga shitjet në 2017, me një rritje prej 10%. Nesti Tarusha, administrator i kompanisë, tha se rritja ka qenë më e lehtë në 2018. “Tendenca ka qenë në rritje, por rritja, minimale”, – shpjegoi ai.

Edhe Kompania Kazazi shënoi rritje të ardhurash në raport me një vit më parë, rreth 32%. Të ardhurat kapën vlerën 362 milionë lekë. Pas saj renditet kompania ERDA, me 180 milionë lekë qarkullim. Aktiviteti i kompanisë Meat Master (në vend të fundit) u tkurr me 11% në vit 2017, me 52 milionë lekë të ardhura nga shitjet.

Mbështetur në pasqyrat financiare që kompanitë kanë dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, EHW, Fix Pro dhe Tona janë ndër kompanitë me normën më të lartë fitimit. Marzhi neto i fitimit te kompanitë e përpunimit të mishit (fitimi pas tatimit ndaj të ardhurave) luhatet 1% deri në 8%.

Konsumi i mishit në rritje, por kanë nisur të ndihen pasojat e emigracionit

Në dy vitet e fundit, në Shqipëri, konsumi i mishit përllogaritet rreth 70 kg për frymë. “Monitor” ka përllogaritur sasinë e konsumuar duke i shtuar prodhimit vendas importet dhe duke iu zbritur sasinë e mishit të eksportuar nga Shqipëria. Prej 2009-s, ku sipas së njëjtës përllogaritje konsumohej rreth 64 kg për frymë, konsumi i mishit është rritur vazhdimisht, edhe pse me ritëm modest. Operatorët kryesorë pohojnë se tendenca e konsumit të mishit është në rritje.

Por, përfaqësues të kompanisë Hako argumentojnë se në vend nuk ka trend dobësimi për konsumin personal, por ulje popullsie dhe kjo reflektohet te konsumi. Antonela Mema, nga kompania Hako, shpjegon se rënia e popullsisë ka ardhur si pasojë e emigracionit kaotik, duke sjellë reduktim të konsumit në total.
Krahasuar me vendet e zhvilluara, ku konsumi i mishit në vit i kalon 100 kg, në Shqipëri, një vend në zhvillim, pritet të vazhdojë trendi i rritjes.

BURIMI: PËRLLOGARITJET E MONITOR, BAZUAR NË TË DHËNAT E INSTAT PËR PRODHIMIN, IMPORTIN, EKSPORTIT DHE POPULLSISË

Prodhimi vendas, në vendnumëro

Në vitin 2018, prodhimi vendas përllogaritej rreth 161,3 mijë tonë, me një rritje të papërfillshme krahasuar me një vit më parë (0,1%), sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë. Prodhimi i mishit ndahet në katër grupe të mëdha, në mish gjedhi, të imtash, derri dhe shpendi, ku rritje ka shënuar vetëm prodhimi vendas i mishit të të imtave. Ndërsa mishi i gjedhit, derrit dhe shpendëve kanë pësuar rënie, duke ua lënë vendin importeve.

Prodhimi i mishit të gjedhit për 2018-n ishte 68 mijë tonë, nga 72 mijë tonë në 2017. Prodhimi i mishit të derrit nga 17 mijë tonë, ishte 16,9 në 2018-n. Rënie shënoi dhe prodhimi i mishit të shpendëve i cili ka pasur trend rritës prej 2012-s. Në 2018-n u prodhuan 19,7 mijë tonë nga 20 mijë një vit më parë.

Prodhimi vendas nuk i përgjigjet as kërkesës së kompanive të përpunimit për lëndë të parë, të cilat kërkojnë sasi, të cilat fermat e vogla në vend nuk mund t’ia plotësojnë. Fragmentarizimi i tokës bujqësore ka krijuar ferma të vogla me 1-5 krerë bagëti dhe me sipërfaqe mesatare 1.4 hektarë.

Barriera në eksport, shkak mungesa e gjurmueshmërisë

Eksportet e mishit dhe nënprodukteve të tij nga Shqipëria në vendet e BE-së dhe CEFTA-s kanë qenë të kufizuara, edhe pse operatorëve kryesorë, ata plotësojnë kushtet mbi standardet e sigurisë. Shkaku kryesor për kufizimin e eksporteve në vendet e BE-së është mungesa e gjurmueshmërisë në produktet me prejardhje shtazore në vend. Procesi i matrikulimit i bagëtive në Shqipëri nuk ka përfunduar.

Për rrjedhojë, sipas operatorëve Shqipëria shënjohet si një vend origjine jo të sigurt. Ata pohojnë se hasin barriera në eksport edhe në vendet anëtare të CEFTA-s, me të cilat kemi marrëveshje të tregtisë së lirë. Kryesisht vendet e rajonit, nëpërmjet barrierave jo-tarifore, vështirësojnë tregtinë e mallrave Made in Albania, duke shtuar kontrollet higjieno-sanitare në doganat e tyre. Sipas operatorëve të tregut, masa proteksioniste merren nga autoritetet për bizneset lokale atje.

Për vitin 2018, Shqipëria eksportoi rreth 568 tonë mish, nga 365 tonë një vit më parë. Referuar të dhënave të INSTAT mbi tregtinë e jashtme për mishin, në 10 vitet e fundit eksportet shënuan vlerën më të ulët në vitet 2013-2015, duke marrë sërish tregjet në dy vitet e fundit.
Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, një kilogram mish i eksportuar nga Shqipëria është tregtuar mesatarisht 625 lekë për kg.

Importet, nga vjen mishi në Shqipëri

Në 2018 u importuan 39.7 mijë tonë mish, me rritje nga një vit më parë. Gati 30% e mishit të importuar në 2018-n në Shqipëri erdhi nga Brazili, me peshë rreth 10 mijë tonë. Vendin e dytë, me 16% të totalit të sasisë së importuar e zë mishi me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto dy vende përgjigjen për pothuajse gjysmën e importeve të mishit.

“Monitor” përllogariti vlerën mesatare në lekë të një kilogram mishi që ka hyrë në Shqipëri nga këto vende me përkatësisht 212 lekë/kg nga Brazili dhe 107 lekë/kg nga SHBA. Jo rrallëherë, autoritetet kanë bllokuar ngarkesat e mishit nga Brazili, për arsye të mosplotësimit të standardeve. Çmimi i ulët lidhet me cilësinë e dobët. Megjithatë, duke qenë se këto dy vende kanë ferma të mëdha, me shumë krerë bagëti, përfitojnë nga ekonomia e shkallës dhe nxjerrin një produkt me kosto më të ulët se në Shqipëri, ku mbizotërojnë fermat me 1-5 krerë bagëti.

Greqia dhe Italia janë dy vende të tjera origjine me peshë në importe, me përkatësisht 14 dhe 12%. Një kilogram mish i importuar nga Greqia ka hyrë me çmim mesatar 70 lekë për kilogram, ndërsa nga Italia me 131 lekë për kilogram. Gjermania dhe Polonia renditen më pas, me 8% dhe 6% të totalit të sasisë së importuar, prej të cilave importohet kryesisht mish derri. Në Poloni janë ngritur ferma të mëdha të mbarështimit dhe rritjes së derrit, duke rritur konkurrueshmërinë e këtij vendi në këtë segment. Mishi i derrit të importuar përdoret kryesisht për prodhimin e sallameve.

Shqipëria, mishin më të lirë në Europë
Mishi është një prej produkteve të shportës bazë të ushqimeve. Niveli i çmimit për këtë produkt dhe konsumi e rendisin Shqipërinë në vendin më të lirë dhe ndër vendet me konsumin më të ulët të tij.

Eurostat publikoi statistikat mbi indeksin e çmimit të mishit në 2017-n për të gjithë vendet anëtare të Bashkimit Europian, vendeve kandidate dhe kandidatëve potencialë. Shqipëria renditet e fundit për sa i përket nivelit të çmimeve, ku mishi kushton rreth 45% më lirë se mesatarja e vendeve europiane (EU=100).

Krahasuar edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor, niveli i çmimeve të mishit është më i lirë. Pas Shqipërisë, renditet Maqedonia, ku mishi kushton rreth 42% më lirë se në vendet e Bashkimit Europian. Mishi kushton më shtrenjtë në Kosovë, rreth 13% më i lartë krahasuar me Shqipërinë. Në vend të dytë, për nivelin e lartë të çmimeve në Ballkanin Perëndimor, është Mali i Zi dhe Bosnja, ku çmimi i mishit është rreth 12% më shtrenjtë se në Shqipëri. Më pas renditet Serbia, rreth 9% më shtrenjtë se në vendin tonë.

Zvicra, më e shtrenjta

Mishi kushton më shtrenjtë në Zvicër, ku niveli i çmimeve është 2.4 herë më i shtrenjtë se në pjesën tjetër të Europës. Sipas të dhënave të Eurostat, niveli i çmimeve është kryesisht më i lartë në vendet e Europës së Veriut si Islanda, Norvegjia dhe Luksemburgu.
Në 2017-n, Luksemburgu kishte çmimet më të larta të mishit ndër vendet anëtare të BE-së, rreth 41% më shtrenjtë se mesatarja e Bashkimit Europian. Në vend të dytë, Austria, ku çmimet janë 39% më të larta se mesatarja europiane.

Më lirë në Europën Qendrore dhe në Ballkan

Polonia ishte vendi me çmimet më të lira të mishit, rreth 43% më lirë se mesatarja e Bashkimit Europian, ndjekur nga Bulgaria me rreth 42% më lirë.

Flet Jona Leka, Menaxhere Marketingu në EHW gmbh

Tregu vendas nuk siguron lëndën e parë, industria detyrohet ta importojë

EHW, kompania më e vjetër në treg, renditet e para sa i përket qarkullimit. Sipas drejtuesve të saj, industria ka ruajtur qëndrueshmërinë në tregun vendas. Jona Leka, menaxhere e marketingut, pohon se kompanitë shqiptare zënë rreth 75% të tregut vendas për produktet e mishit të përpunuar. Industria detyrohet të importojë lëndën e parë prej vitesh, duke qenë se prodhimi vendas nuk e plotëson nevojën e tyre.

Si ka qenë ecuria në industrinë e përpunimit të mishit në Shqipëri? Cilat janë disa nga sfidat në këtë industri?

Nga pikëpamja jonë, industria e përpunimit të mishit ruan të njëjtën prodhimtari si në vitet e kaluara. Dominon me produkte tregu, duke pasur një pozicion më të fortë se produktet e importuara. Aktualisht, mbi 75% e tregut mbulohet nga produkte vendase. Megjithatë, vitet e fundit ka një tendencë të rritjes së produkteve të importit, sidomos për vende të cilat janë favorizuar nga eliminimi i taksës doganore.

Për të qenë me hapin e kohës, një detyrim është inovacioni në këtë industri. Sot, me ristrukturimin e tregut, i cili po dominohet nga supermarketet dhe marketet e vogla, rritet nevoja për produkte të ambalazhuara thjesht për t’u tregtuar dhe sidomos me jetëgjatësi më të madhe për t’ju përshtatur tregtimit në markete. Ky do të jetë drejtimi i inovacionit për vitet në vijim: rritje e jetëgjatësisë së produkteve, si dhe zvogëlimi i përmasave të ambalazhimeve, gjithmonë duke plotësuar normat e sigurisë ushqimore vendase dhe europiane.

Ka një lloj tendence globale në uljen e konsumit të mishit të kuq. A e keni vënë re këtë raport te konsumatorët shqiptarë?

Kjo tendencë nuk ka pasur ndonjë ndikim të konsiderueshëm në Shqipëri. Konkretisht, EHW ka pasur rritje mesatare vjetore midis 6 dhe 8% në vitet e fundit. Edhe në botë, tendenca është reduktuar në mënyrë drastike, sepse nuk rezulton të ketë baza të forta shkencore në mendimin se mishi i kuq ka ndonjë efekt negativ në shëndet. Përkundrazi, konsumi në mënyrë të moderuar i mishit të kuq ushqen trupin me proteina, të cilat e mbajnë organizmin për një kohë relativisht më të gjatë se llojet e tjera të ushqimeve që kanë të njëjtën përbërje kalorike.

Siguria ushqimore mbetet “Thembra e Akilit” në sektorin agropërpunues. Çfarë po bëhet për të rregulluar këtë situatë? A ka një lloj paragjykimi për produktet shqiptare?

Mendojmë se sektori i përpunimit të mishit është në pararojë të plotësimit të standardeve të sigurisë ushqimore në përputhje me ato europiane. Në këtë kontekst, EHW, duke qenë lider i sektorit prej 26 vitesh dhe kompania e parë e certifikuar nga certifikues europianë, ka qenë një model i mirë, i cili ndiqet dhe nga industri të tjera. Sigurisht ka dhe konsumatorë që kërkojnë doemos produkte të huaja, por janë në pakicë. Në përgjithësi, vlerësohen mirë produktet shqiptare, sidomos nga fakti që kanë konkurruar suksesshëm me produktet e importit.

Në raport me rajonin, sa konkurruese është industria e përpunimit të mishit në Shqipëri?

Industria e përpunimit të mishit në Shqipëri ka dy probleme të mëdha të cilat krijojnë barriera në tregjet brenda dhe jashtë rajonit:

Së pari, tregu vendas nuk siguron lëndën e parë të nevojshme, mishin e derrit, sepse nuk ekzistojnë impiante moderne për rritjen e mishit. Tregu vendas nuk furnizon dot industrinë me lëndën e parë bazë për përpunimin e mishit. Për këtë arsye, bazohemi kryesisht në lëndë të para importi, çka d.m.th. kemi kosto të shtuara importi dhe kosto të shkaktuara nga taksa doganore. Në fakt, jemi e vetmja industri që paguan taksa doganore për lëndën e parë.

Megjithatë, importet janë tërësisht nga vende dhe firma prodhuese të certifikuara për të eksportuar në komunitetin europian. Bëhet fjalë për produkte plotësisht të sigurta. Të gjitha këto barriera janë krijuar nga shteti shqiptar për të stimuluar prodhimin e mishit të derrit, ndërkohë që ky prodhim në vend nuk ekziston. Për pasojë, industria e përpunimit të mishit vuan kundrejt industrive të tjera të rajonit që kanë një masë të konsiderueshme të lëndës së parë të siguruar në vend.

Ndërkohë, sallamet e prodhuara në Europën Qendrore dhe vendet fqinje, në zbatim të marrëveshjeve me shtetin shqiptar, nuk paguajnë taksë doganore. Në këtë mënyrë, favorizohen produkte konkurrente dhe dëmtohet industria e përpunimit të mishit në vend, gjë që është e dukshme nga rritja deri në 5% e produkteve të importit në vitet e fundit.

Së dyti, sistemi i inspektimit për kontrollin e produkteve shtazore në Shqipëri konsiderohet jo i besueshëm nga vendet europiane. Për pasojë, këto shtete ndalojnë eksportin nga Shqipëria të çdo produkti me origjinë shtazore, duke nisur nga mishi. Kjo dëmton së tepërmi eksportet e industrisë shqiptare.

 

Flet Spiro Lengo, drejtor i shitjeve KMY

Kujdesi për shëndetin rrit konsumin e mishit të shpendëve

Konsumi i mishit në muajt e parë të 2019-s ka ardhur në rritje, sipas z.Spiro Lengo, drejtor i shitjeve në KMY. Ai shton se i dukshëm është shtimi i konsumit të mishit të pulës dhe shpendëve si një tregues i kujdesit më të madh që njerëzit kanë për dietën ushqimore.

Si ishte tendenca e shitjeve në 2018 dhe si e parashikoni ecurinë?

Shitjet kanë qenë të qëndrueshme në të gjithë sektorët. Ka pasur rritje në shitjet me pakicë, por rritja më e madhe ka qenë në tregun e shumicës. Suksesi ynë bazohet në përzgjedhjen e mishit që përpunojmë, përdorimi i teknologjisë moderne dhe veçanërisht kontrolli i rreptë mbi pastërtinë e ambienteve në të cilat produktet prodhohen dhe tregtohen. Të gjitha produktet tona shpërndahen çdo ditë në rrjetin tonë të supermarketeve dhe në njësitë e tjera të shitjeve në të gjithë Shqipërinë.

Ecuria për 2019 duket e mirë, ka rritje më shumë se tremujori i parë i 2018-s. Rritja vjen si pasojë e rritjes së konsumit të mishit të freskët, sidomos i pulës, pastaj vjen mishi i viçit dhe i derrit.

Si ka qenë tendenca e konsumit të nënprodukteve të mishit?

Konsumi i mishit të shpendëve, kryesisht pulave, ka një trend rritjeje më të madh vitet e fundit. Tashmë njerëzit kujdesen më shumë për dietën e tyre ushqimore.

Siguria ushqimore është një nga problematikat e këtij sektori. Ndërsa një pjesë e lëndës së parë vjen nga importi. Si ka ndikuar në ecurinë e kompanive shqiptare? Sa të vështirë e keni të siguroni lëndën e parë (mishin) për të prodhuar?

Vëmendje të madhe i kushtojmë sigurisë. Konsumatori është më i ndjeshëm në këtë drejtim. Sigurimi i lëndës së parë është i vështirë, për shkak dhe të kushteve që kanë blegtorët. Prodhimtaria e mishit në Shqipëri ballafaqohet me shumë vështirësi, një ndër më kryesoret është numri i madh i fermave të madhësisë së vogël.

A keni pasur hapësirë për të eksportuar në tregjet e huaja? Cilat janë disa nga vështirësitë që kanë kompanitë shqiptare për të operuar jashtë?

Importet tona janë drejtuar drejt tregjeve europiane. Kujdes i kemi kushtuar prodhimeve me mish të ngrirë dhe të freskët. 100% të mishit që importojmë është nga vendet e BE-së. Nuk kemi asnjë produkt mishi të importuar nga vende jashtë BE-së. Furnitorët tanë kryesorë janë kompanitë më të mëdha të mishit në Holandë dhe Belgjikë.
Punojmë mirë edhe me kompani shqiptare, të cilat janë serioze dhe të organizuara në punën e tyre. Mbështesim blegtorët shqiptarë, duke blerë bagëti dhe prodhimet e tyre.

Edhe AKU dhe organet e tjera kompetente kanë rritur kontrollet e tyre për të pasur gjithmonë sigurinë e ushqimeve dhe higjienën e duhur te produktet. Eksporti i produkteve të mishit është zero aktualisht. Jemi duke parë mundësinë e një fillimi bashkëpunimi në të ardhmen me kompani nga Kosova, të cilat mund të kenë interes për produkte shqiptare.

Në Shqipëri operojnë disa kompani që merren me përpunimin e mishit. Si e gjykoni konkurrencën në tregun vendas?

Në Shqipëri ka shumë kompani të tjera që tregtojnë dhe përpunojnë mishin. Kompanitë e mëdha janë të konsoliduara dhe konkurrenca është rritur, gjë që na shërben të gjithëve. Është rinovuar teknologjia, janë përmirësuar kushtet e prodhimit dhe tregtimit. Kujdes duhet pasur nga tregtarët ambulantë të mishit, të cilët kanë hapësira për t’ju shmangur kontrolleve.

 

Flet Nesti Tarusha, administrator i kompanisë FIX

Sistemi i matrikulimit pengon eksportet

Siguria ushqimore ka qenë në fokus të të gjitha kompanive që operojnë në këtë sektor. Mirëpo mospërfundimi i sistemit të matrikulimit të bagëtive në Shqipëri i pengon kompanitë shqiptare në eksport, duke krijuar ngërç.

Në 2017-n, të ardhurat nga shitjet për kompaninë FIX u rritën në krahasim me një vit më parë. Cilët janë faktorët që po ju ndihmojnë të zgjeroheni në treg? Si ishte tendenca në 2018 dhe si e parashikoni ecurinë?

Për vitin 2017, kompania FIX PRO sh.p.k. ka realizuar një xhiro vjetore 452.9 mln lekë, me rritje 9.6% më shumë se viti 2016. Ndërsa në vitin 2018, xhiro vjetore ishte 465.9 mln lekë, duke shënuar rritje 2.9% krahasuar me 2017, që tregon se rritja në përqindje është më e vogël se një vit më parë.
Për vitin 2019, mbështetur në strategjinë e kompanisë dhe përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë të produktit parashikojmë rritje më të madhe se në vitin 2018. Tendenca ka qenë në rritje, ndërsa rritja minimale.

Siguria ushqimore është një nga problematikat e sektorit, ndërsa një pjesë e lëndës së parë vjen nga importi. Si ka ndikuar në ecurinë e kompanive shqiptare? Sa të vështirë e keni të siguroni lëndën e parë (mishin) për të prodhuar?

Siguria ushqimore është fokus dhe synim për të gjithë operatorët në industrinë ushqimore. Por mendoj se zbatimi i standardeve nga industria, mbështetja dhe kontrolli i vazhdueshëm i AKU vitet e fundit ka përmirësuar ndjeshëm situatën dhe garanton sigurinë ushqimore në stabilimentet me investim serioz dhe bashkëkohor. Pjesa më e madhe e lëndës së parë vjen nga importi. Ne mendojmë që stabilimentet e prodhimit të mishit në vend janë shumë të vogla, nuk kanë kapacitet, si dhe kanë kosto të lartë.

A keni pasur hapësirë për të eksportuar në tregjet e huaja? Cilat janë disa nga vështirësitë e kompanive shqiptare për të operuar jashtë?

Po, ne kemi mundësi dhe hapësira për të eksportuar, sepse kemi të gjitha standardet dhe certifikimet e duhura. Pengesë është mospërfundimi i sistemit të matrikulimit të kafshëve në Shqipëri. Ky është ngërçi që ne nuk po lejohemi, për të eksportuar në BE.

Si e vlerësoni raportin me mishin dhe nënproduktet e importuara?

Ne mendojmë që kompanitë serioze shqiptare kanë nivel shumë më të lartë si nga cilësia e produkteve dhe nga siguria ushqimore, krahasuar me produktet e importit. Kjo është e dukshme dhe në çmimet që kanë produktet e importuara në raport me cilësinë e tyre.

 

Flet Antonela Mema, përfaqësuese e kompanisë HAKO

Rënia e popullsisë, si pasojë e emigracionit, uli konsumin

Në vitin 2017, kompania Hako shënoi rritjen më të madhe të të ardhurave. Ndonëse produktet vendase për nga cilësia mund të kapin tregje jashtë Shqipërisë, kompanitë hasin vështirësi nga barrierat jo-tarifore në vendet e CEFTA-s.

Fermat e vogla dhe toka bujqësore e fragmentarizuar nuk mund t’ju sigurojë kompanive shqiptare sasinë e kërkuar të lëndës së parë. Si po ndikon emigracioni tek ulja e konsumit të mishit dhe nënprodukteve të tij.

Si ka qenë ecuria në sektorin e përpunimit të mishit?

Në botë, njerëzit konsumojnë mesatarisht 34 kg mish në vit për person. Sipas statistikave, sa më e lartë mirëqenia e një vendi, aq më shumë mish konsumohet. Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve në zhvillim dhe kjo është një nga arsyet kryesore që konsumi i mishit është në nivele të ulëta. Megjithatë konsumi është rritur ndër vite.

Industria e përpunimit të mishit furnizohet kryesisht me produkte të freskëta nga bagëtia e vendit, apo nga importi i mishit peshë e gjallë (derr, gjedh dhe shpendë) si dhe nga importi mishi i freskët në gjendje karkase (deri 8 gradë C) apo të ngrirë (-18 gradë C) kryesisht mish derri, pule dhe gjedhi.

Fermat e vogla (me pak krerë bagëti) janë një nga problematikat e sektorit. Si ka ndikuar kjo në biznesin tuaj?

Kur nuk arrin të plotësojë nevojat e veta me lëndën e parë vendase, kompania Hako furnizohet me lëndë nga importi.

Individët po tregojnë gjithnjë e më shumë kujdes me dietën ushqimore. A keni konstatuar rënie të konsumit për mishin e përpunuar? Si ka ndryshuar sjellja konsumatore?

Të dhënat botërore nuk tregojnë trend dobësimi të konsumit të mishit dhe nënprodukteve të tij. Në lidhje me Shqipërinë, nuk ka trend dobësimi për konsumin personal nga njerëzit, por është ulur popullsia dhe kjo reflektohet te konsumi.

Rënia e popullsisë ka ardhur për shkak të emigracionit kaotik, duke sjellë rënie të konsumit në total. Shqipëria bën pjesë te vendet me trend në rritje për person të konsumit të mishit dhe nënprodukteve të tij. Në 10 vitet e fundit, konsumi është rritur nga 22 kg/person në 44 kg/person në vit. Për këtë arsye, nuk bëhet fjalë për dietë ushqimore kur jemi ndër të fundit në rang europian për konsum mishi dhe të nënprodukteve të tij.

Si është raporti me konkurrencën në këtë treg?

Konkurrenca e ndershme bën vetëm mirë në fushën tonë. Për pasojë, na nxit të investojmë jashtëzakonisht shumë në makineri, standarde të sigurisë ushqimore e për rrjedhojë, në burimet njerëzore dhe lëndë të parë shumë cilësore.
Konkurrenca e pandershme që simbolizohet nga industri klandestine, pa standarde, me lëndë të para të cilësisë së ulët është goditja e vetme që na jepet dhe ndikon në industrinë e përpunimit të mishit, si pasojë e shërbimeve të dobëta shtetërore të sigurisë ushqimore.

Siguria ushqimore është një pikë e dobët e sektorit. Sa të sigurt janë konsumatorët shqiptarë me produktet që ju ofrohen?

Industria e përpunimit të mishit HAKO dhe, si ne, edhe mjaft të tjera, ndjekin dhe kanë implementuar standardet më të larta të sigurisë ushqimore, duke ndjekur gjurmueshmërinë e produktit, si të ishin në BE. Kjo vërtetohet nga auditime vjetore ndërkombëtare mbi sigurinë ushqimore. Konsumatorët janë të sigurt kur marrin produkt nga kompani me emër, me etiketë dhe në kushte shitje sipas standardeve të sigurisë ushqimore.

Cilat janë pritshmëritë tuaja? Sa janë mundësitë për eksport në rajon dhe më gjerë?

Eksporti i produkteve me bazë mishi varet nga niveli i autoriteteve tona të sigurisë ushqimore. Shqipëria nuk mund të eksportojë mish dhe nënprodukte të tij në BE pasi nuk plotëson standardet e sigurisë. BE-ja inspekton se sa i aftë është shteti të ketë nën kontroll sigurinë ushqimore, dhe Shqipëria ka mbetur në klasë. Ne mund të eksportojnë në vendet e CEFTA-s ku përveç Shqipërisë janë anëtarë edhe Mali i Zi, Kosova, Serbia, Bosnjë-Hercegovina e Maqedonia.

Por edhe këtu, nën petkun e kontrolleve sanitare, ka vështirësi të çajë tregun rajonal, edhe pse i dobët, sepse Autoritetet nuk e mbështesin biznesin në këtë fushë. Ndërkohë, vendet e CEFTA-s kanë Autoritete më agresive në mbrojtje të bizneseve të tyre për eksport në drejtim të Shqipërisë.

Nga të dhënat e doganës, mishi i importuar ka një peshë të konsiderueshme në treg. Çfarë faktorësh e kanë nxitur këtë?

Bazuar edhe në statistika, më shumë se 70% e lëndës sonë të parë vjen nga importi dhe kjo kryesisht nga Europa e kontinenti amerikan. Importi po rritet për shkak të strukturës së varfër të blegtorisë sonë. Kjo ka ardhur prej moskooperativizmit të blegtorisë, rrjedhojë e copëtimit të fermave. Sipas ligjit 7501, janë rreth 350 mijë ferma të krijuara me strukturë nga 1-5 krerë bagëti e një sipërfaqe toke të punueshme deri në 1,4 ha/fermë, çka nuk lejon edhe përfitimin nga ekonomia e shkallës./MONITOR

Likes:
0 0
Views:
2
Article Categories:
Aktualitet

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *