Biskotat lepurush të Pashkës

Për besimtarët e krishterë, Pashkët janë festa që simbolizon ringjalljen e Krishtit. Përveç aspektit fetar, Pashkët janë kthyer edhe në festën më të dashur për fëmijët, të cilët u gëzohen vezëve shumëngjyrëshe, bukës së Pashkës, ushqimeve tradicionale etj. Por biskotat lepurush janë ato që kënaqin çdo kënaqin çdo vogëlush, por edhe të  rritur. Linda Fishta i ka bërë që në mëngjes, urojmë t’i përgatisni edhe ju.

Përbërësit: 400g miell • 120g sheqer pluhur • 1 bustinë vanilje • 200g gjalpë i ftohtë • 1 vezë • 1 majë luge kripë • zbukurime të vogla me ngjyra, që mund të hahen.

Përgatitja: Në robot hedhim sheqerin, vaniljen dhe gjalpin të ndarë në kubikë. I përziejmë për 2 minuta, shtojmë vezën dhe kur kjo të jetë përzier, shtojmë edhe miellin. I përziejmë edhe për pak minuta derisa të kemi brumë homogjen. E vëmë tani brumin në tavolinë, e punojmë pak me dorë, i japim formë të rrumbullakët dhe pasi ta mbulojmë me letër plastike, e lëmë të pushojë në frigorifer për 30 minuta. Pas kësaj kohe, e hapim brumin me petës me trashësi 4-5mm dhe e presim me format që kemi për biskota. I vëmë këto të fundit në tavën e furrës të veshur me letër furre dhe i lëmë në frigorifer për 30 minuta (mos e anashkaloni këtë proces pasi në të kundërt biskotat nuk do ta ruajnë formën pas pjekjes). I pjekim në furrën e ngrohur më parë me 170° për 10-12 minuta ose derisa të kenë marrë pak ngjyrë. I lëmë të ftohen plotësisht përpara se t’u ngjisim zbukurimet.

Për t’i ngjitur zbukurimet me ngjyra në një filxhan përziejmë 1 lugë sheqer pluhur me pak pika ujë, sa të kemi një masë të trashë. Me gisht ose me një kruajtëse dhëmbësh marrim pak nga kjo ngjitje dhe lyejmë biskotat ku do të ngjisim zbukurimet. Këtë veprim e kryejmë me shumë kujdes pasi biskotat janë delikate. I lëmë të thahen mirë dhe më pas mund të konsumohen.

Likes:
0 0
Views:
140
Article Tags:
Article Categories:
Receta Gatimi

Leave a Reply